Kryetari Komani, ka pritur në takim përfaqsues nga KGJK, kryetarin e Komisionit për Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe ekspert nga USAID

Kryetari Komani, ka pritur në takim përfaqsues nga KGJK, kryetarin e Komisionit për Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe ekspert nga USAID

Gjakovë, 07 nëntor 2023 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, ka pritur në takim zëvendës kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Qerim Ademaj, kryetarin e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqtarin Afrim Shala, ekspertin nga USAID, John Ferry dhe anëtarin e KGJK-së, Fidan Hoxha.

Kryetari Komani, theksoi se për kundër numrit të vogël të gjyqtarëve, ata janë të përkushtuar që të zbatojnë planin në fjalë, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

Nga ana tjetër, zëvendës kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Qerim Ademaj, ka falënderuar Gjykatën Themelore të Gjakovës, veçanërisht kryetarin Komani, për qasjen dhe përpjekjet e tij që së bashku me gjyqtarët e kësaj gjykate dhe stafin, kanë bërë një punë të mirë në zvogëlimin e numrit të lëndëve të vjetra, pavarësisht sfidave që është duke u përballur.  

Ndërsa Kryetar i Komisionit, Afrim Shala, shtoi se është duke u bërë monitorimi, vlerësimi dhe raportimi në trajtimin e numrit të madh të lëndëve që hyjnë në kuadrin e lëndëve me prioritet të lartë, sigurimin e procedurës së drejtë gjyqësore, si dhe përcaktimi i kritereve të prioritizimit të natyrës së caktuar të lëndëve.

Eksperti nga USAID, John Ferry, inkurajoi gjyqtarët që të përfillin dhe zbatojnë planet e tilla, pasi që ato jo vetëm që rrisin efikasitetin e gjyqësorit, por ua lehtësojnë edhe vet gjyqtarëve procesin e vendimmarrjes.

Në këtë takim, morën pjesë udhëheqësit e Departamentit për Krime të Rënda, Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal dhe Civil të Gjykatës Themelore në Gjakovë si dhe mbikëqyrësi i Degës në Rahovec dhe Degës në Malishevë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025, si dhe sfidat që rrjedhin nga ky Plan Strategjik.​