Lirohen nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe deklarim të rremë nën betim

Lirohen nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe deklarim të rremë nën betim

Gjakovë, 25 tetor 2023 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurve A.Ç., J.D., dhe G.H., të cilët sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri B.F., i cili sipas aktakuzës akuzohet për veprën penale “Deklarimi i rremë nën betim”.

Trupi gjykues së bashku me kryetarin e këtij trupi, Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë.


Të pandehurit A.Ç., J.D. dhe G.H., akuzoheshin se në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve të K.R.M. “Çabrati”, për pranimin e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që duke qenë në cilësinë e anëtarëve të komisionit rekrutues kanë shpërfillur udhëzimin administrativ (MASHT) nr. 126/2016, lidhur me parimet dhe procedurat e njohjes së diplomave, duke përzgjedhur kandidatin që nuk i plotëson kriteret sipas konkursit si dhe duke i cenuar të drejtat e punësimit të tjerëve në atë mënyrë që kandidatit B.F., në dokumentacionin e konkursit ka prezantuar diplomë të Universitetit “K.”, i lëshuar në Republikën e Shqipërisë, të pa nostrifikuar, si dhe nuk i plotëson kriteret e parapara që të ketë përvojën e punës në nivelin e lartë drejtues, me ç’rast iu kanë shkaktuar dëm kandidatëve të tjerë.

Ndërsa i pandehuri B.F., akuzohej se në cilësinë e kandidatit, me vetëdije paraqet deklarim të rremë në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve të K.R.M. “Çabrati”, për pranim të kryeshefit ekzekutiv të kompanisë, paraqet një deklaratë nën betim në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, se kandidati duhet të ketë pesë (5) vjet përvojë – së paku në një nivel të lartë të menaxhmentit dhe një deklaratë nën betim, në të cilën deklaron se ai i përmbushë kushtet e kualifikimit. Për kundër faktit, i njëjti nuk i plotëson kriteret për përzgjedhje sipas konkursit për pranimin e kryeshefit ekzekutiv, në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.