Katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj burgim ndaj të pandehurit D.K., për dy vepra penale

Katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj burgim ndaj të pandehurit D.K., për dy vepra penale

Gjakovë, 02 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit D.K., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, akuzohet për veprën penale, “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Rashkaj, e shpalli fajtorë për dy veprat penale dhe i shqiptoi dënim me burgim unik katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga data 09 mars 2022.

I pandehuri D.K., akuzohet se “me datën 09 mars 2022, rreth orës 18:40 minuta në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoi nga jeta të dëmtuarin B.M., si shkak i xhelozisë për lidhjen e dashurisë në mes të gruas së tij me të dëmtuarin. I pandehuri paraprakisht përgatitet për ta kryer veprën duke siguruar armën automatike ASH-78, pastaj shkon dhe e pret të dëmtuarin në afërsi të kompanisë së tij “T. F. G.”, dhe më të vërejtur të dëmtuarin që del nga zyra e tij, gjuan shtatë herë në drejtim të trupit të tij, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara i dëmtuari rrëzohet në tokë, fillimisht dërgohet në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, e më pas për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë”.

I pandehuri e ka pranuar fajësinë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.