Arrest shtëpiak ndaj tre (3) të pandehurve për lëndim të rëndë trupor dhe dëmtim të pasurisë

Arrest shtëpiak ndaj tre (3) të pandehurve për lëndim të rëndë trupor dhe dëmtim të pasurisë

Gjakovë, 29 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak një (1) muaj të pandehurve V. H., A. H. dhe A. H.(2), për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rënd trupor dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

“Me date 27.11.2020 rreth orës 15:00 min, në fshatin Carrallug të Malishevës, të pandehurit me dashje dhe me mjete të rrezikshme i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarve A. G. dhe Z. G. që të dy nga fashati Balincë i Malishevës.  Të pandehurit, pasi i rrahin të dëmtuarit, i’u dëmtojnë kamionetin e tyre duke ja thyer xhamat me mjete të forta”.

Me këto veprime të pandehurit V. H., A. H. dhe A. H.(2), dyshohen të kenë kryer dy vepra penale, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “ Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, si masë më e arsyeshme në këtë fazë të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.