Gjakovë, 29 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak një (1) muaj të pandehurve V. H., A. H. dhe A. H.(2), për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rënd trupor dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.
“Me date 27.11.2020 rreth orës 15:00 min, në fshatin Carrallug të Malishevës, të pandehurit me dashje dhe me mjete të rrezikshme i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarve A. G. dhe Z. G. që të dy nga fashati Balincë i Malishevës. Të pandehurit, pasi i rrahin të dëmtuarit, i’u dëmtojnë kamionetin e tyre duke ja thyer xhamat me mjete të forta”.
Me këto veprime të pandehurit V. H., A. H. dhe A. H.(2), dyshohen të kenë kryer dy vepra penale, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “ Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, si masë më e arsyeshme në këtë fazë të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.