Gjakovë, 27 tetor 2023 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit A.N., për veprën penale, “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas shqyrtimit fillestarë, ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, të akuzuarin A.N., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet e tre (3) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 25 maj 20203.
I pandehuri A.N., akuzohet se “me 25 maj 2023 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin F.N., meqë djali i tij A., dite më parë e kishte marrë për grua bashkëshorten e të pandehurit. Ditën kritike i pandehuri ka marrë revolen e tipit Ekol Tuna të kalibrit 6.35×15 mm, ka dalë në qytet dhe me të takuar të dëmtuarin F.N., rreth orës 12:20 min i cili po vinte rrugës përballë tij me biçikletë në dorë, i pandehuri ndalet, kthehet prej tij dhe i thotë “ku je mar p… nënës tone”, e nxjerrë revolen nga xhepi, dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë në të duke e mbajte armën në dorë derisa i dëmtuari ikë dhe futet me të shpejtë në një lokal. Më pastaj i pandehuri largohet me të shpejtësi nga aty ndërsa i dëmtuari për shkak të plagëve të marra dërgohet për ndihmë të shpejtë në spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, i cili më pas trajtimit, nga ekzaminimi mjeko-ligjor ka rezultuar me lëndime të lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit”.
Konfiskohet një pistoletë gjysmë automatike, e kalibrit 6.35×15 mm, së bashku me dy fishekë 6.35×15 mm dhe një brisk, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.