Gjakovë, 11 shtator 2023 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani ka pritur sot në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe drejtorin e logjistikës, Muhamet Kurtishaj, me të cilët diskutoi lidhur me koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në funksion të rritjes së efikasitetit në sistemin gjyqësor.
Gjatë këtij takimi kryetari Komani, së bashku me kryesuesi Zogaj dhe me drejtorin e logjistikës Kurtishaj, zhvilluan një vizitë tek objekti i ri i kësaj Gjykate, ku shikuan nga afër punimet e këtij projekti që janë duke u kryer, i cili pritet të jetë në funksion së shpejti.
Po ashtu, vizita ka vazhduar edhe në Degën ne Rahovec dhe Degën në Malishevë, ku u priten nga mbikëqyrësit e degëve, gjyqtari Betim Behluli dhe gjyqtari Njazi Morina, nga të cilët u njoftuan për së afërmi për punën dhe aktivitetet e këtyre degëve.
Kryetari Komani vlerësoi gatishmërinë e Këshillit Gjyqësor për ta mbështetur në disa nisma që kanë për qëllim forcimin e rolit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, si dhe shprehu gatishmërinë për të bashkërenduar aktivitetet që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë.
Kryesuesi Zogaj shprehi mbështetjen e pa-rezervë për Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke theksuar nevojën e rritjes së progresit në sistemin gjyqësor.