Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani sot gjatë ditës, ka pritur në takim udhëheqësen e ekipit të sundimit të ligjit në Ambasadën Britanike në Prishtinë, znj. Jennifer Blakeney, me të cilën ka biseduar për progresin dhe sfidat specifike në fushën e sundimit të ligjit.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë që të diskutohet më shumë rreth reformave në sektorin e sundimit të ligjit dhe specifikat e mbështetjes së administrimit të drejtësisë, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet e shoqërisë civile të financuara nga kjo Ambasadë.
Një temë tjetër që është diskutuar, ka qenë edhe problemet me të cilat ballafaqohet Gjykata, siç është mungesa e disa zyrtarëve administrativ, numri i vogël i gjyqtarëve, mos përfundimi i objektit të ri dhe menaxhimi i punës në rrethana të Covid-19.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ambasadës Britanike, znj. Jennifer Blakeney, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të ketë mbështetje të vazhdueshme me projekte të ndryshme për fuqizimin e transparencës dhe llogaridhënies në këto institucione.