Gjakovë, 20 dhjetor 2019 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit L. H., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të fajdesë.
I dëmtuari N. E., nga i pandehurit L. H., kishte marrë para në shumë prej 3500 euro me kamatë mujore prej 12%, ku i dëmtuari është detyruar të paguaj kamatën në shumë prej 420 euro çdo muaj. Në total i dëmtuari të pandehurit i ka paguar shumën prej 14 mije euro ne emër të fajdesë, ku me datë 19 dhjetor 2019, i pandehuri arrestohet në flagrancë nga ana e policisë duke pranuar shumen prej 420 euro si kamatë mujore në emër të fajdesë.
Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Fajdeja”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 19 dhjetor 2019 dhe do të zgjasë deri më 19 janar 2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gezim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.