Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve M. Sh. dhe B. Z. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Grabitja” nga neni 317 paragrafi 3 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të pandehurit dyshohen se më 29 gusht 2019, kanë kryer veprën penalë të grabitjes në atë mënyrë që; të pandehurit M. Sh. dhe B. Z. të pajisur me armë zjarri dhe me një automjet me targa të falsifikuara, të maskuar shkojnë në pompën e derivateve “F. O.” në fshatin Xërxe të Komunës së Rahovecit, duke përdorur dhunë dhe në kërcënimin e armëve, nga arka marrin shumën e të hollave në vlerë prej një mijë (1000) euro si dhe nga xhepi i të dëmtuarit D. M. i marrin shumën prej njëqind (100) euro, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur. Me rastin e kontrollit dhe bastisjes së shtëpisë nga ana e policisë, të dyshuarit M. Sh. janë gjetur një pushkë e tipit “Shoot gun” dhe një revole e tipit “TT”.
Me këto veprime dyshohet se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale, “Grabitja” ndërsa për të pandehurin M. Sh. edhe për veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 30 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2019.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Gëzim Pozhegu, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve M. Sh. dhe B. Z., konform dispozitave të KPPRK-së.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit