Gjakovë, 02 gusht 2019 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të pandehurës M. Sh. për veprën penale, “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Kosovës (Kodi i vjetër në fuqi deri më datë 14 prill 2019).
E pandehura M. Sh. është shpallur fajtore dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj dhe dënim me gjobë, në shumën prej një mije (1000) euro, i cili dënim do të paguhet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Gjithashtu, e pandehura M. Sh., obligohet që palës së dëmtuar, Institucionin mikrofinanciar “F.” t’ia kompensoj dëmin në shumën prej njëzet e tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë (23.977,60) euro pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
E pandehura është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej pesëdhjetë (50) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëzet e pesë (50) euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurës M. Sh., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike e pandehura, nga janari i vitit 2018 deri në qershor të vitit të njëjte, në cilësinë e personit zyrtar si arkëtare në Institucionin mikrofinanciar “F.”, në Degën në Rahovec, ka marr shumën e të hollave prej katërmbëdhjetë mije e dyqind (14,200.00) euro, e po ashtu ka përvetësuar pagesat e ratave të kredive të 40 klientëve në shumë prej nëntë mijë e shtatëdhjetë e shtatë euro (9.777,50) euro dhe të njëjtat pagesa nuk i ka regjistruar dhe nuk i ka futur në arkë.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës