Gjakovë, 09 tetor 2024 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit E.LL., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas kërkesës, “Më datën 07.10.2024 rreth orës 15:00 në Gjakovë rr. “Ç.”, nga bastisja dhe kontrolli brenda në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një (1) qese plastike me substancë narkotike në formë bari në peshë prej 0.9 gr, njëzet e shtatë (27) qese plastike me substancë narkotike në formë bari në peshë prej 34 gram, shtatëdhjetë (70) qese plastike me substancë narkotike në formë bari në peshë prej 100 gram, një (1) qese plastike me substancë narkotike në peshë prej 534 gram të gjitha të dyshuara për narkotik të llojit marihuanë, në peshë të përgjithshme prej 668.9 gram, si dhe të holla në vlerë prej 500 euro, një telefon dhe një peshore digjitale, të gjitha të sekuestruar në vendin e ngjarjes, respektivisht në shtëpinë e të pandehurit nga hetuesit policor”.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ” Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” e sanksionuara me nenin 267 paragrafi 2 në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 07 tetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 06 nëntor 2024.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.