Gjakovë, 28 shkurt 2024 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P. Gj., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për veprën penale, ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasja”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Drilon Haraçia, e shpalli fajtor për veprën penale dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 16 shkurt 2021 deri me datën 31 janar 2022, të cilin dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri P. Gj., akuzohet se “me datën 12 mars 2019, rreth orës 18:30, në fshatin Marmull, Komuna e Gjakovës, pikërisht afër shtëpisë së A. N., me dashje e ndihmon këtu të akuzuarin A. Gj., duke i krijuar kushte në kryerjen e veprës penale të vrasjes, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes pronësore me tani të ndjerin T. B., i cili ditën kritike së bashku me Z. K., dhe të akuzuarin P. Gj., ishin mbledhur të bisedojnë në odën e A. N., ashtu që i akuzuari P. Gj., me të arritur tek shtëpia e të dëmtuarit A.N., automjetin e tij të markës “WV- Sharan”, me tabela të regjistrimit 07-…-.., e parkon pas automjetit të markës “Sander” me tabela të regjistrimit 01-…-.., i cili ishte i të ndjerit T.B., që ishte i pakuar në drejtim të lumit Drin, në të cilin drejtim nuk kishte dalje. Pasi nuk merren vesh mes veti, duke dal nga oda, i ndjeri T. B., ju kishte drejtuar me fjalët se “për këtë punë do të ju lajmërojë në Polici dhe Gjykatë”, dhe kishte hipur në veturën e tij e kishte kthyer në drejtim të Gjakovës me qëllim që të lëvizte për të shkuar në shtëpinë e tij, ashtu që ishte ndalur dhe po priste dhe kishte kërkuar nga i akuzuari P. Gj., që ta largonte veturën e tij, pasi pjesa tjetër e rrugës ishte me baltë dhe ishte një kanal i hapur dhe nuk kishte mundësi të lëvizte veturën e tij, i akuzuari me qëllim që ta pengonte lëvizjen e të ndjerit, nuk e largon veturën e tij të cilës ia kishte hapur derën e shoferit dhe po qëndronte aty, ngase ishte në dijeni se i akuzuari A. po vinte nga shtëpia, pasi që përmes numrit të telefonit 044-…-…, e kishte thirrur këtu të akuzuarin A. duke e njoftuar dhe duke i thënë se “jam tek shpija e A. N.”, ku i akuzuari A. me atë rast e kishte marr pushkën automatike dhe kur arrin tek vendi i ngjarjes fillimisht gjuan në drejtim të automjetit tani të ndjerit, i cili pasi del nga automjeti për tu larguar gjuan në drejtim të tij duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse dhe pas kryerjes të vrasjes, i akuzuari P. Gj., me automjetin e tij së bashku me të akuzuarin A. largohen nga vendi i ngjarjes”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese.