Reagim ndaj artikullit-intervistës të lëshuar nga mediumi “Insajderi” me datë 18 nëntor 2023

Reagim ndaj artikullit-intervistës të lëshuar nga mediumi “Insajderi” me datë 18 nëntor 2023

Gjykata Themelore në Gjakovë, shpreh shqetësimin në lidhje me mënyrën joetike sesi po trajtohet nga mediumi “Insajderi”, rasti për vrasje ku i akuzuar është D. Gj.

Me datën 18 nëntor 2023 rreth orës 17:00, mediumi “Insajderi”, në platformën sociale Facebook, ka publikuar një artikull – intervistë me titull “Doda veç e kreu, e porositi tjetërkush…”, në të cilën paraqitet një i intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, me ç’rast lëshon një mori akuzash në drejtim të Gjykatës dhe të kryetarit të trupit gjykues në veçanti.

Këto publikime përbëjnë shkelje serioze të Kodit të Mediave, pasi në asnjë rast para publikimit të kësaj interviste, Gjykata në asnjë formë, në asnjë moment nuk ka pranuar asnjë pyetje apo kërkesë për informacion, për tu deklaruar në pretendimet e të intervistuarit, rrjedhimisht Gjykata nuk e ka pasur mundësinë për t’iu përgjigjur pretendimeve dhe deklaratave të të intervistuarit.

Zyra për Informim dhe Komunikim me Media, dy orë pas publikimit të video-intervistës, ka kontaktuar autorin e artikullit për sqarime, tek atëherë ka pasuar një emali me disa pyetje, duke mos paraqitur të vërtetën kur ka raportuar apo më saktë kur ka publikuar intervistën, kjo sepse artikulli është bazuar vetëm në deklarimet dhe opinionin e të intervistuarit.

Kjo përbën shkelje të së drejtës për t’u përgjigjur dhe cenon rëndë raportimin e së vërtetës.

Njoftojmë opinionin se akuzat e të intervistuarit të thëna në këtë intervistë, janë të pa vërteta dhe për këtë çështje gjyqtari Ilir Rashkaj, e ka njoftuar u.d. kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Po ashtu, sot kemi deponuar ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, për Insajderin.