Gjakovë, 23 nëntor 2021 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit N. M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të posedimit të narkotikëve.
“Me datën 31 korrik 2021 në fshatin Zhub, që çon drejt pikës kufitare “Qafë Prush”, në skaj të rrugës janë gjetur shtatë (7) qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit Marihuanë, në peshë të përgjithshme gjashtë (6) kilogramë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë (878) gramë. I pandehuri ka qenë në kërkim nga ana e policisë dhe me datë 20 nëntor 2021, është arrestuar duke kaluar pikën kufitare në Vërmicë”.
Me këto veprime i pandehurit N. M., dyshohet të ketë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër kjo e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.