Gjakovë, 30 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit M.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Drilon Haraçia, e shpalli fajtor për veprën penale dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vjet dhe njëmijë (1000) € gjobë, pasi pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, i pandehurin M.B., paraprakisht e ka pranuar fajësinë sipas aktakuzës.
I pandehuri M.B., akuzohet se “me datën 24 qershor 2021, gjatë bastisjes nga ana e policisë në shtëpinë e tij në katin e dytë të shtëpisë tek dhoma e tij, janë gjetur tetë (8) qese të mbushura me substancë të llojit Marihuanë, një (1) kavanoz i mbushur me substancë të llojit Marihuanë, një qese të mbushur me substancë narkotike të llojit Kokainë në peshë rreth 1.36 gram, dy peshore digjitale të cilat shërbejnë për matjen e narkotikut, ndërsa brenda në një aneks të shtëpisë (shupë) janë gjetur njëzet (20) qese të paketuara dhe të mbushura me substancë narkotike të llojit Marihuanë, e gjithë kjo sasi e substancës narkotike-kanabis (Marihuanë) në peshë prej 986,76 gramë”.
Gjykata ka urdhëruar që ndaj të pandehurit M. B., të konfiskohen mjetet monetare në shumën prej pesëqind e tridhjetë (530) € , si mjete te përfituar nëpërmjet kryerjes se veprës penale dhe të bëhet shkatërrimi i substancës narkotike.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.