Gjakovë, 19 maj 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit Z. P., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale lëndim i rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.
“Më 26 prill 2020 rreth orës 19:40, në fshatin Jahoc të Gjakovës, nga pakujdesia me armë i shkakton lëndim të rëndë trupor, me rrezik për jetë të dëmtuarit L. G., në atë mënyrë që përderisa i pandehuri së bashku me të dëmtuarin dhe dëshmitarin D. P. ndodheshin në zonë të pabanuar duke ecur, ndërsa i pandehuri posedonte armë, pushkë automatike AK-47, ndërkohë i njëjti gjuan në ajër, plumbi i shkrepur e godet të dëmtuarin i cili menjëherë dërgohet në spitalin rajonal të Gjakovës, e më pas në gjendje të rëndë dërgohet në QKUK ku i nënshtrohet operimit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore me rrezik për jetë”.
Ndërsa, “me 18 maj 2020, pas bastisjes në shtëpinë e të pandehurit në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Gjakovës, janë gjetur dy armë automatike të tipit AK-47, një karikator me 15 fishekë, tre karikator me 76 fishekë dhe pushkë gjuetie e konfiskuar nga policia me dt. 27.04.2020.”
Me këto veprime i pandehuri Z. P., dyshohet të ketë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.