Gjakovë, 26 prill 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit D. P., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.
“I pandehuri D. P., më 24 prill 2020 rreth orës 19:00 minuta, në fshatin Nec në Gjakovë, me dashje ka privuar nga jeta familjarin e tij (tezakun), tani të ndjerin D. Gj. me një pushkë gjuetie, pas një fjalosje që kishin pasur.”
Me këto veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 24 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 24 maj 2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.