Gjakovë, 10 prill 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit G. K., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të vrasjes së rëndë.
I pandehuri G. K. me 11 shkurt 2020, rreth orës 11:00 në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij B. K. Në ditën kritike i pandehuri shkon në shtëpinë e të ndjerit, dhe pasi futet nga dera e kuzhinës gjuan me pistolete tre-katër (3-4) herë në drejtim të të ndjerit, i cili në ato momente gjendej i shtrirë në divan, duke biseduar në telefon. Pas kësaj ngjarje i pandehuri G. K. largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të shtëpisë së tij, për tu rikthyer në vendin e krimit pas shtatë-tetë (7-8) orësh, dhe pasi merr trupin e pajetë duke e tërhequr zvarrë me batanije, e nxjerr në oborr prapa shtëpisë, e mbulon me gjësende të ndryshme dhe i vë flakën. Me qëllim që të zhduk gjurmët, mbetjet dhe pjesë të kockave të të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në skaj të rrugës së lagjes.
Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 09 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 09 maj 2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.