Gjakovë, 14 shkurt 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit S. M., ashkali, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të dhunimit.
Më 02 shkurt 2020 e deri më 05 shkurt 2020, në Gjakovë, saktësisht tek baraka e tij, pa pëlqimin e personit tjetër, këtu të dëmtuarës A.M., i pandehuri kryen aktin seksual. Duke e ditur se e njëjta ka çrregullime ose aftësi të kufizuara mendore, e shfrytëzon situatën, ku qëndron me të dëmtuarën për tre natë radhazi në të njëjtën barakë, e gjatë kësaj kohe në vazhdimësi ka kryer akt seksual me të.
Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Dhunimi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 12 shkurt 2020 dhe do të zgjasë deri më 11 mars 2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Shaqir Zika, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.