Gjakovë, 20 janar 2020 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin dënues kundër katër (4) të akuzuarve G.V., S.P., J.P., dhe B.N. për veprën penale, “Grabitja” të kryer në bashkëkryerje nga neni 317 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.
I pandehuri G.V. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në vlerë tetëqind (800) euro.
I pandehuri S.P. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në vlerë gjashtëqind (600) euro.
I pandehuri J.P. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në vlerë gjashtëqind (600) euro.
I pandehuri B.N. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në vlerë gjashtëqind (600) euro, në të cilin dënim ndaj katër (4) të pandehurve do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14 maj 2019.
Të pandehurit janë obliguar që të dëmtuarit R.K., ti paguajnë dëmin e shkaktuar në shumën prej dymijë e katërqind e nëntëdhjetë (2490) euro në mënyrë solidare në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të pandehurve, J.P., i konfiskohet vetura “Opel Corsa”, të pandehurit S.P., i konfiskohet vetura “Renault Laguna” si dhe të pandehurit G.V., i konfiskohen të hollat në shumë prej dyqind e gjashtëmbëdhjetë (216.80) euro.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurve G.V., S.P., J.P., dhe B.N. gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes.
Të pandehurit akuzohen se në maj të vitit 2019, “rreth orës 18:30 në Gjakovë, me përdorim të forcës në mënyrë të kundërligjshme ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit R.K., në atë mënyrë që pasi më parë janë marrë vesh mes vete dhe i kanë ndarë rolet, të pandehurit G.V. dhe J.P. me automjetin “Opel Corsa” shkojnë te stacioni i autobusëve ku e marrin të dëmtuarin K.R., kinse për ta furnizuar me substancë narkotike, ku më pas nisen në drejtim të Çabratit, ku i prisnin të pandehurit S.P. dhe B.N., me automjetin “Renault Laguna”. I pandehuri G.V. së bashku me të dëmtuarin pasi hyjnë në automjet ulen në pjesën e pasme, duke lëvizur në drejtim të kishës, rrugë me lëvizje të pakta të qytetarëve, i pandehuri G.V merr revolen me dorën e majtë dhe ia drejton të dëmtuarit në bark, duke ia kërkuar të hollat, më pas i pandehuri B.N., i ulur në ulësen e përparme të automjetit nxjerr revolen, të cilën ia drejton të dëmtuarit, duke i kërkuar që ti qes të gjitha paratë që i ka, ku më pas i dëmtuari nga frika nxjerr shumën prej 2490 euro, të cilat i lë në ulësen e automjetit, dhe më pas i pandehuri G.V. nën kërcënimin e armës e kontrollon në xhepa ku gjen edhe një sasi të të hollave dhe i merr, dhe më pas e ndalin automjetin në skaj të rrugës dhe nën kërcënimin e armës e zbresin të dëmtuarin nga automjeti.”
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.