Gjakovë, 6 dhjetor 2019 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit M.G. për veprën penale, “Vrasje e rëndë” në tentativë nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të ish Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari M.G. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej tre (3) vite e dy (2) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 05 qershor 2018 deri më 02 korrik 2018. I akuzuari është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej njëzet e pesë (25) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëzet e pesë (25) euro si dhe shumën prej pesëdhjete (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit M.G., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, i akuzuari, me 05 qershor të vitit 2018 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin L. L., me ç’ rast ka rrezikuar edhe jetën e personave të tretë.
Konfiskohet një revole e tipit “TT”, një karikator së bashku me dy fishekë, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i akuzuari. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.