Mbahet konferenca vjetore e gjyqtarëve

Mbahet konferenca vjetore e gjyqtarëve

Të shtunën me datë 1 dhjetor 2018, në ambientet e “Hotel Emerald” në Prishtinë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur Konferencën e Tetë Vjetore me temën: ‘’Për një gjyqësor të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës’’, e mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë Misioni në Kosovë (OSBE).

Në këtë konference kanë marrë pjese krerët më të lartë të drejtësisë, në mesin e tyre edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Vaton Durguti. Përfaqësuesit kanë diskutuar për të arriturat dhe sfidat e deritanishme si dhe praktikat e mira të implementimit të projektit SMIL (Sistemi i Menaxhimit Informativ të Lëndëve) në gjykatat e Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Vaton Durguti, në një prezantim të paraqitur para të pranishmëve për të arriturat e projektit SMIL (Sistemi i Menaxhimit Informativ të Lëndëve), ka njoftuar për vënien në zbatim të sistemit SMIL në gjykata duke paraqitur trajnimet e realizuara për gjyqtarët dhe stafin në lëmin penale dhe regjistrimin në sistem të të gjitha lëndëve penale.

“…që të krijoj kushte më të mira për punë në gjykata, të mundësoj arritjen e rezultateve më të mira, me kosto më të ulët. Me këtë projekt synohet shkurtimi i kohëzgjatjes së kryerjes së lëndëve dhe uljes së kostos për kryerjen e lëndëve.” Ka thënë kryetari Durguti.

Kryetari ka paraqitur edhe angazhimin dhe përpjekjet e 5 (pesë) regjioneve duke përfshirë në total 17 (shtatëmbëdhjetë) gjykata gjithsejte së bashku me degët e tyre.

“…në lëmin penale në këto 5 (pesë) regjione janë 27.616 (njëzet e shtatëmijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lëndë të regjistruara, ndërkaq, të kryera në sistemin SMIL nga ana e gjyqtarëve është 5968 (pesëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë), numër ky i përgjithshëm i regjistruar deri më 20 nëntor të këtij viti ndonëse implementimi i këtij sistemi ka filluar në mars te viti 2018. Ndërkaq në lëmin civile, implementimi ka filluar si pilot projekt me Gjykatën Themelore të Ferizajt dhe do të vazhdoj në të gjitha gjykatat tjera së shpejti.” Është shprehur Durguti.

Më tutje kryetari Durguti në këtë prezantim  është shprehur se, përdorimi i këtij sistemi dhe vënia në zbatim të plotë në të gjitha gjykatat, është një prej mjeteve më të sigurta të zhvillimit të gjyqësorit tonë dhe për të siguruar se gjyqësori ynë do të jetë krahas sistemeve moderne dhe bashkëkohore të vendeve perëndimore.

Ai ka shtuar se synimet janë që në janar të vitit 2019 ky projekt të filloj së implementuari edhe në dy regjionet e mbetura, atë të Prishtinës dhe Mitrovicës së bashku me degët e tyre sikurse në gjykatat tjera të Kosovës.

Kryetari Durguti, me theks të veçantë falënderoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Norvegjeze si donatorin kryesore i këtij projekti si dhe të gjithë donatorët tjerë që mbështesin gjykatat e republikës së Kosovës me projekte të ndryshme.