Hatixhe Begaj
Gjyqtare - Dega në Malishevë
Hatixhe Begaj u lind më 31 mars 1994 në fshatin Banjë, Komuna e Malishevës. Pasi përfundoi shkollën e mesme, ajo vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës \\\"Hasan Prishtina\\\", për Drejtësi. Në qershor të vitit 2016, ajo fitoi titullin juriste e diplomuar - bachelor.
Pas kryerjes së studimeve bachelore, Begaj vazhdoi edhe me studimet master në drejtimin Penale, po ashtu në Universitetin e Prishtinës \\\"Hasan Prishtina\\\". Ajo përfundoi studimet master në tetor të vitit 2018.
Në vitin 2021, ajo përfundoi provimin e Jurisprudencës, duke e bërë kështu gatishmërinë për të praktikuar profesionin e drejtësisë.
Hatixhe Begaj, ka pasur një angazhim të shquar në sektorin e drejtësisë, fillimisht si trajnere e Komisionit Komunal Zgjedhor në Malishevë (KKZ), për zgjedhjet e viteve 2014-2017. Pastaj, në periudhën 2017-2018, ajo kreu praktikën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë - Dega në Malishevë.
Më pas me datën 8 tetor 2018, ajo filloi punën në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë, fillimisht në pozitën administrative dhe më vonë u emërua në pozitën e zyrtares ligjore. Me 14 qershor 2022, ajo u zgjodh bashkëpunëtore profesionale në të njëjtën gjykatë.
Në vitin 2023, Hatixhe Begaj u propozua për emërim si gjyqtare nga presidentja e Republikës së Kosovës, duke marrë mandat fillestar. Me datën 6 prill 2023, ajo u emërua zyrtarisht gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Civil në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë.
Me një karrierë të suksesshme në drejtësi dhe me përkushtim ndaj profesionit të saj, Hatixhe Begaj vazhdon të shërbejë në sistemin gjyqësor të Kosovës me përgjegjësi dhe integritet.