Caktohet Masa e Arrestit Shtëpiak Ndaj Të Pandehurit B.M. Për Lëndim të Rëndë Trupor

Caktohet Masa e Arrestit Shtëpiak Ndaj Të Pandehurit B.M. Për Lëndim të Rëndë Trupor

Gjakovë, 13 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej tridhjetë (30) ditëve të pandehurit B.M..

I pandehuri dyshohet se me datë 12 dhjetor 2018, në Rahovec në autoservisin e tij i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Z.V. me të cilin është në lidhje farefisnore. Pasi që ishin duke çmontuar një automjet së bashku, i dëmtuari Z.V. e ka gjetur mbrapa ulëses së automjetit një pistoletë dhe i pandehuri B.M. gjatë tentimit që ta merr armën nga dora, arma është shkrepur duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Z.V., me ç’rast është dashur të marr trajtim mjekësor.

 

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri B.M. ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

 

I pandehur do të mbahet në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 12 dhjetor 2018 dhe do të zgjasë deri më 11 janar 2018.

 

Prokuroria e Gjakovës fillimisht kishte kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurin mirëpo, gjatë seancës dëgjimore, prokurori i çështjes kishte deklaruar se duke marrë parasysh se i pandehuri me të dëmtuarin janë nip e dajë, dhe deklarimeve të pandehurit  për këtë fazë të hetimeve, e konsideroj të mjaftueshme masën e arrestit shtëpiak.

 

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin në fjalë.

 

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit të Kosovës.