Njëzet e katër (24) vjet burgim ndaj të pandehurit G. E., për tri vepra penale

Njëzet e katër (24) vjet burgim ndaj të pandehurit G. E., për tri vepra penale

Gjakovë, 14 mars 2022 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G. E., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, akuzohet për veprën penale, “Vrasja e rëndë”, “ Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Mentor Bajraktari, e shpalli fajtor për tri veprat penale dhe i shqiptoi dënim me burgim afatgjatë njëzet e katër (24) vjet, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga data 25 tetor 2016.

I pandehuri G. E., akuzohet se “datën 02 janar 2010, rreth orës 22:45 minuta, në Pejë, në diskotekën “C. C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V. K., ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B. Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V.K., A. B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë. Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C. C.”,  me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H. B.”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.