Tridhjetë e katër (34) vjet burgim ndaj dy të pandehurve për vrasje, lëndim i rëndë trupor dhe ndihmë në vrasje

Tridhjetë e katër (34) vjet burgim ndaj dy të pandehurve për vrasje, lëndim i rëndë trupor dhe ndihmë në vrasje

Gjakovë, 16 shkurt 2021 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.Gj., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për tri vepra penale; “Vrasje”, “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe të pandehurit P.Gj., për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Mentor Bajraktari, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin A.GJ., e shpalli fajtor për tri veprat penale dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej  njëzet e dy (22) vjet, ndërsa të pandehurit P.GJ., dënim me burgimi në kohëzgjatje prej nga dymbëdhjetë  (12) vjet.

I pandehuri A.Gj., akuzohet se më 12 mars 2019 në fshatin Marmull të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin T.B., për shkak të një mosmarrëveshje pronësore. Po ashtu, në kohën dhe vendin e njëjtë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit A.N., pasi që ky i fundit kishte tentuar ta ndihmoi viktimën T.B. .

Ndërsa i pandehuri P.GJ., akuzohet se më 12 mars 2019 në fshatin Marmull të Gjakovës, me dashje ndihmon personin tjetër, këtu të akuzuarin A.Gj., duke i krijuar kushte në kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Të pandehurve ju është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.