4 vjet burg dhe 2000 euro gjobë për veprën penale “posedim dhe shitje të narkotikëve”

4 vjet burg dhe 2000 euro gjobë për veprën penale “posedim dhe shitje të narkotikëve”

Gjakovë, 30 shtator 2019 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të akuzuarit N. B. për veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të Kodit Penal të Kosovës.

I akuzuari është fajtor, sepse me datë 19 qershor 2019, rreth orës 21:00 minuta, në pikën kufitare “Qafë Morinë” – Gjakovë, saktësisht në fshatin Morinë, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “marihuanë” në peshë prej dyzet e tetë (48) kilogramë e gjashtëqind e pesëdhjetë (650) gramë, të cilën sasi i pandehuri ditën kritike e kishte marrë nga personi P. Q. në qytetin e Bajram Curr në Republikën e Shqipëria me qëllim trafikimi në Republikën e Kosovë.

Me këto veprime i akuzuari N. B. ka kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarin N. B. duke i shqiptuar dënim prej katër (4) vjet burgim dhe gjobë në shumën prej dy mijë (2000) Euro. I pandehuri është obliguar që të paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëqind (100) euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Konfiskohen substanca narkotike, një veturë “Opel Vectra”, një telefon “Samsung A6” dhe të holla në shumën prej pesë mijë (5000) lek, si objekte të kryerjes dhe përfitimit nga vepra penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.